Maja e Gjallicës 2489m
Mali i Gjallicës 2489m mbi nivelin e detit, është mali më i lartë në rrethin e Kukësit. Qyteti i Kukësit gjendet në lartësinë 350m mbi nivelin e detit, dhe menjëherë mbi qytet lartësohet Mali i Gjallicës në 2489m. Për këtë arsye, por dhe për arsyen që nga maja e Gjallicës mund të shohësh gati çdo majë që ndodhet në pjesën veriore të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë, Gjallicën e kanë quajtur Ballkoni i Veriut.
Ngjitja për në malin e Gjallicës nis nga fshati Brekije, fshat që bën pjesë në Komunën e Topojanit, dhe ndodhet 1235m mbi nivelin e detit. Shtegu fillon në qendër të fshatit ku ndodhet edhe një burim, uji i te cilit rrjedh nga Gjallica, dhe vazhdon në drejtim të tokave dhe arave bujqësore të fshatit, që janë rreth 1 km nga qendra e Brekijes.
Pasi ke ecur për gati 2.5 km përgjatë shtegut në lartësinë 1570m, shikon disa stalla për bagëtinë, çatia e të cilave është punuar në mënyrë artizanale dhe e mbuluar me bar të thatë, mënyrë kjo shumë e vjetër e përdorur për te mbuluar vendet ku kanë pas mbajtur bagëtinë, dhe tani pothuajse nuk e gjen ne asnjë vend tjetër, përveç se në fshatrat e këtyre zonave.
Shtegu vazhdon për rreth 2.5 km ngjitje në drejtim të Gjallicës, në fillim përmes një pylli me Dushk, dhe më pas në lartësinë 1750m të shfaqen livadhet dhe kullotat alpine në vendin e quajtur Stanet e Bicajve. Në këto lëndina apo kullota alpine, banorët e zonës se Bicajt dërgojnë bagëtinë për verim gjate periudhës së ngrohtë të vitit në stane që gjendet në 1800m mbi nivelin e detit, dhe për këtë arsye zona në të cilën ndodhen këto kullota quhet Stanet e Bicajve. Ndryshe këtë zonë e quajnë dhe Kroi i Kuq, për arsye të një burimi që buron nga shpati i Gjallice, dhe personat që verojnë në stane e përdorin për nevojat e tyre dhe për bagëtinë. Ky burim ka ujë gjatë gjithë vitit, dhe pse ndodhet gati në lartësinë 1900m mbi nivelin e detit.
Shumica e këtyre staneve janë funksional, kështu që, që prej fillimit të pranverës, dhe deri në fillim të dimrit kur fillon bora e parë, mund të shohësh tufa me bagëti, kryesisht dele, që kullosin në shpatet e Gjallicës.
Pasi freskohesh me ujin e Kroit të Kuq, shtegu vazhdon për rreth 1 km nëpër shpatin e zhveshur të Gjallicës deri në lartësinë 2100m, në një lëndinë të quajtur Laku apo Podina, që bashkon shpatin jugor të Gjallicës, me pyllin me Pisha të Vojvodës apo siç ndryshe i thonë dhe banorët Venmira.
Në këtë vend ka disa toponime interesante siç janë p.sh., Hurdha e Kishës, apo dhe Kroi i Kishës. Kroi i Kishës përdoret më së shumti nga barinjtë për ti dhënë ujë bagëtive, dhe nuk ndodhet përgjatë shtegut, por pak më poshtë shpatit që zbret në drejtim të qytetit të Kukësit.
Shtegu vazhdon të ngjitet në shpatin jugor të Gjallicës dhe për 1.2 km, deri në lartësinë 2400m, në majën e parë, e cila quhet Maja e Vole. Në këtë majë, që nga fillimi i ngjitjes, për herë të parë sheh qytetin e Kukësit, Lumin e Drinit të Zi që vjen nga Tetova dhe Lumin e Drinit të Bardhë që vjen nga Prizreni. Të dy lumenjtë bashkohen në Liqenin e Kukësit për të vazhduar më pas rrjedhën drejt Liqenit të Komanit.
Pjesa e fundit e shtegut deri në majë është më pak se 1 km, dhe i gjithë shtegu kalon pothuajse në kurrizoren e Gjallicës, deri në pikën më të lartë 2489m. Në majë, Alpinistët e Kukësit kanë vendosur një shtizë, në të cilën valëvitet Flamuri Kombëtar. Tashmë është traditë që secili nga grupet apo personat që ngjiten në Gjallicë, e ndërron flamurin i cili mund të jetë dëmtuar nga faktorët atmosferik.
Fshati Brekije ndodhet 21 km larg nga qendra e qytetit të Kukësit. Për të shkuar deri atje, duhet të ndjekësh rrugën në drejtim të Shishtavecit, dhe me pas në km e 18, ndjek rrugën që të dërgon në fshatin Brekije. Deri në qendër të fshatit janë 3 km rrugë e pa asfaltuar, rrugë e cila bëhet dhe me autoveturë.
Ky kalim ka 1250m disnivel dhe në total 15 km ngjitje-zbritje. Koha e nevojshme për të përshkuar këtë distancë është rreth 7-8 orë.
Shtegu është i mirë dhe i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë se tij, dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare. Duhet bërë shumë kujdes gjatë periudhës së dimrit, sepse pjesa e fundit e kurrizores për në majë mund të jetë e ngrirë, dhe pjerrësia e shpatit e bën shumë të rrezikshme ngjitjen, veçanërisht për ata persona që nuk kanë pajisjet e duhura për ngjitje në kushte të tilla, apo që edhe nuk kanë eksperienca të mëparshme të ngjitjeve në terrene me akull apo me ngrica.
Kjo guidë është e përshtatshme për të gjithë ata që kanë përgatitje të mirë fizike apo që gjatë javës kanë aktivitet sportiv, për shkak të disnivelit dhe distancës që duhet përshkuar.
Kontakt kryeplaku /guida /bujtina:
Maksim Mustafa 0686125638