Maja e Pashtrikut 1988m
Mali i Pashtrikut 1988m mbi nivelin e detit, ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë dhe është pjesë e Maleve të Hasit. Ai shtrihet që nga Lugina e Drinit të Bardhë, e cila e ndan nga Mali i Koritnikut, deri në Kosovë, në zonën që quhet dhe Hasi i Prizrenit.
Nga maja e Pashtrikut mund të shohësh gati çdo majë që ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, apo dhe Malet e Sharrit që shtihen që nga Kosova deri në Maqedoni, qytetin e Hasit dhe të Kukësit, Prizrenin, një pjesë të Kosovës, Gjallicën, Koritnikun, Korabin, dhe pjesë të Alpeve Shqiptare në zonën e Tropojës.
Ngjitja për në malin e Pashtrikut nis në afërsi të fshatit Kishaj dhe Cabani, pjesë e komunës së Gjinaj në rrethin e Hasit, dhe ndodhen rreth 1070m mbi nivelin e detit.
Shtegu nis në dalje të fshatit dhe vazhdon për 4 km nëpër një terren shkëmbor dhe të zhveshur. Në lartësinë 1750m të shfaqen disa lëndina apo kullota ku ndodhen edhe stanet, në të cilat banorët e fshatrave të Hasit gjatë pranverës dhe verës dërgojnë bagëtinë për verim.
Pasi vazhdon ecjen drejt majës, nëpër lëndinat që vazhdojnë të shtrihen edhe në pjesën e Kosovës, për një distancë për më pak se 1 km arrin në majë, në lartësinë 1988m, ku ndodhet kufiri imagjinar Kosovë-Shqipëri.
Shtegu fillon në afërsi të fshatit Kishaj dhe Cabani, 12 km larg nga qendra e qytetit të Hasit. Rruga është e paasfaltuar, rrugë e cila rekomandohet të bëhet me automjete fuoristrada apo furgonat e zonës.
Ky kalim ka një 900m disnivel dhe në total 10 km ngjitje-zbritje. Koha e nevojshme për të përshkuar këtë distancë është rreth 7-8 orë.
Shtegu është i mire dhe i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë se tij, dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare. Duhet bërë shumë kujdes gjatë periudhës së dimrit, sepse terreni shkëmbor nëpër të cilin kalon pjesa më e madhe e shtegut, dhe pjerrësia e shpatit e bën shumë të rrezikshme ngjitjen, veçanërisht për ata persona që nuk kanë pajisjet e duhura për ngjitje në kushte të tilla, apo dhe nuk kanë eksperienca të mëparshme të ngjitjeve në terrene me akull apo me ngrica.
Kjo guide është e përshtatshme për te gjithë ata që kanë përgatitje të mirë fizike apo që gjatë javës kryejnë aktivitet sportive, për shkak të disnivelit dhe distancës që duhet përshkuar.