Shishtavec – Guri i Mëngjesit 1940m
Guri i Mëngjesit 1940m mbi nivelin e detit, ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, në rrethin e Kukësit, mbi fshatin Shishtavec, dhe është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnit. Ai ndodhet në brezin e kufirit imagjinar që ndan Shqipërinë me Kosovën.
Guri i Mëngjesit është një gur ranor, me gjatësi 25 metra, gjerësi 13 metra dhe 11 metra i lartë. Ky gur dallohet dhe bie në sy lehtësish duke qenë se qëndron i vetëm në kurrizoren që të çon drejt Malit të Kallabakut. Ndonëse guri nuk tregon vendin nga lind dielli, banorët e zonës e kanë pagëzuar kështu pasi e kanë përdorur si një pikë referimi gjatë lëvizjeve dhe kalimeve nga një fshat në tjetrin.
Nga Guri i Mëngjesit mund të shohësh Malet e Sharrit që shtihen që nga Kosova deri në Maqedoni, Gjallicën, Koritnikun, Korabin, Kallabakun, pjesë të Alpeve Shqiptare, si dhe kullotat alpine më të mëdha të Evropës juglindore, pjesë e Shtegut Ngjyrave.
Ngjitja për në Gurin e Mëngjesit fillon nga qendra e fshatit Shishtavec 1350m, pjesë e komunës me të njëjtin emër. Shtegu vazhdon për 6 km në drejtim të Gurit të Mëngjesit, duke kaluar nëpër arat pjellore që ndodhen mbi fshat, të famshme për kultivimin e patates.
Shtegu, përgjatë gjithë kësaj pjese të ngjitjes, kalon nëpër një terren lehtësisht të kalueshëm, nëpër kullota alpine, ku gjatë periudhës së pranverës mund të shohësh një kolorit ngjyrash nga lulet që lulëzojnë në to.
Lulja më e veçantë që mund të hasësh gjatë ngjitjes është Zambaku Shqiptar (Lilium albanicium), një bimë endemike, e cila klasifikohet si bimë e llojit të rrezikuar. Kjo pamje dhe lëndinat që vazhdojnë të shtrihen edhe në pjesën e Kosovës dhe të Maqedonisë, të shoqëron gjatë gjithë ngjitjes deri në kurrizoren ku ndodhet Guri i Mëngjesit.
Shtegu fillon në qendër të fshatit Shishtavec 30 km larg nga qendra e qytetit të Kukësit. Rruga për në fshat është e asfaltuar dhe mund të bëhet nga çdo lloj automjeti.
Kjo ngjitje ka 600m disnivel dhe në total 12 km ngjitje-zbritje. Koha e nevojshme për të përshkuar këtë distancë është rreth 5-6 orë.
Shtegu është i mire dhe i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë së tij dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare. Duhet bërë kujdes gjatë periudhës së dimrit sepse temperaturat e ulëta mund të krijojnë probleme nga bora dhe akulli.
Kjo guide është e përshtatshme për të gjithë ata që kanë përgatitje të mirë fizike apo që gjatë javës kryejnë aktivitet sportiv.