Kukësi – Pak Histori
Themelimet e para të qytetit të Kukësit të Ri u hodhën me 22 korrik 1962 dhe u ndërtua në më pak se 10 vjet nga vetë dora e banorëve kuksianë.
Ndodhet në pjesën verilindore të Shqipërisë, i shtrire në koordinatat 42.09°V, 20.43°L, në lartësinë 340-360 m mbi nivelin e detit dhe rreth 100 m mbi Kukësin e vjetër. Ka një sipërfaqe prej 1.44 km²m dhe shtrirje nga veriu në jug prej 1.4 km dhe nga lindja në perëndim 900 m. Qyteti ka formën e zgjatur të një gadishulli dhe rrethohet në të tri anët nga liqeni i Fierzës dhe pylli park dhe një pozitë gjeografike të favorshme pasi ndodhet në kryqëzimin e rrjetit rrugor që e lidh atë me Tiranën dhe pellgjet e Dibrës, Tropojës, Mirditës, Shkodrës e Kosovës. Qyteti i Kukësit lidhet më njësitë jugperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Zi dhe me njësitë veriperëndimore me urën mbi luginën e Drinit të Bardhë
Qyteti është ndërtuar në bazë të parashikimeve të qarta kompozicionale, me rrjet rrugor kënddrejtë që e ndan atë në blloqe banimi. Apartamentet e banimit dhe objektet e ndryshme janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të kenë perspektivë të hapur shikimi nga liqeni. Rrjeti rrugor i qytetit është ndërtuar në formën e një unaze në mënyrë që trafiku i jashtëm të kalojë anës tij, duke përshkruar zonën industriale. Rrjeti i jashtëm lidhet me rrjetin e brendshëm në dy pika, në veri dhe në jug të qytetit. Vlen të theksohet se qendra nuk është e zhvilluar në mes të qytetit, por krejtësisht në pjesën lindore të bregut të liqenit. Ai përbëhet prej sheshit kryesor, shëtitores buzë liqenit dhe parkut në të cilin janë ndërtuar objektet kryesore social-kulturore dhe administrative të qytetit.
Mbi etimologjinë e toponimit Kukës
Ka disa variante:
Sipas E.Paço, emri Kukës rrjedh nga fjala ilire Kuskulis
Sipas B. Jubani, emri Kukës rrjedh nga një fjalë latine e shkruar në pitoset e gjetura në kodrën e Pecës: OUEIKEIS (Ujkis)
Sipas Sh. Hoxhës, emri Kukës rrjedh nga emri i komandantit të garnizonit Ahmet Kuka, i cili rreth viteve 1633 kontrollonte administratën ushtarake të këtij vendi.
Mendohet se më afër të vërtetës për toponimin Kukës qëndron fjala latine Quercus (kurkus) që sot shqiptohet Kukës dhe që në shqip përkthehet me fjalën bungajë. Në të vërtete gropa e Kukësit ka qenë një bungajë.
Kukësi ka potenciale për të qenë një vend turistik, pasi posedon të gjithë larminë e elementëve turistikë si: relievin e shumëllojshme, ujin e bollshëm liqenor-lumor dhe burimor, klimën dhe mikroklimat, malet, pyjet, liqenin, lumenjtë, burimet dhe gurrat, livadhet alpine, bjeshkët me pishnajë dhe ahishte, monumentet e natyrës, kushtet tërheqëse për ushtrimin e llojeve të ndryshme të sportit si në futboll, mundje, hipizëm, rrëshqitje me ski, gjuetinë e peshkut, të zogjve dhe të kafshëve të egra etj. Rreth brigjeve të liqenit mund të ngrihen pika turistike dhe stacione barkash me vela ose skafe, ndërsa në bjeshkë mund të ngrihen shtëpi pushimi për pushuesit e turistë.
Kukësi mund të konsiderohet dhe si djep i kulturës popullore.
Marc Stanley - blogger
Trashëgimnia Dhe Arkitektura
Bashkia Kukës
Bashkia Kukës, përveç natyres malore ofron potenciale kulturore, ku përfshihen e gjithë trashëgimia materiale dhe shpirterore e cila vihet në shërbim të turizmit.
Kukësi mund të konsiderohet dhe si djep i kulturës popullore. Është dalluar edhe për zhvillimin e artizanatit. Deri në vitin 1925 dominonte artizanati shtëpiak që plotësonte nevojat familiare për veshje dhe një pjesë të veglave të punës. Artizanati filloi të zhvillohej vetëm pas vitit 1925, kur Kukësi u bë qendër prefekture. Zejet e para ishin fotografia, rrobaqepësia, zdrukthtaria, frutaria. Vetëm pas viteve 1950 artizanati është bërë degë kryesore në Kukës.
Pjese e kësaj oferte është dhe pasuria etnografike si: veshjet kombetare, këngët, vallet, instrumentat muzikor, prodhimet e artizanatit etj të cilat zgjerojnë ndjeshëm ofertën turistike.
Veshjet
Në tashigimin kulturore të Bashkisë së Kukësit përfshihen tre karahina etnografike: Luma, Gora dhe Malziu, të cilat njihen për elemente të spikatura për sa ju takon veçorive të veshjeve tradicionale. Kështu, dallohet veshja me mbështjellse e Lumës (veshja e bardhë); veshja e Gorës me mbështjellsë e cila ka disa variante që ndryshon sipas moshës së përdoruesit të saj; veshja e Malziut për nga paraqitja ka një ngjashmëri të dukshme me veshjen e gjanë të Tropojës por ka një punim më të thjeshtë përsa i përket dekorimit të saj. Karakteristike për burrat, është veshja me tirqe e cila është një veshje e përgjithshme që përdoret pothuajse në të gjitha krahinat, duke ndryshuar nga njëra krahinë tek tjetra në disa aspekte, kryesisht në mënyrën e veshjes dhe dekorimit. Veshja e Arrnit mendohet se është veshja më e hershme në kohë se veshjet e tjera të përdorura në Bashkinë Kukës.
Këngët e vallet: Këngët intepretohen me çifteli, lahutë dhe fyll. Kërcimet intepretohen kryesisht me lodra, curle, gajde dhe çifteli. Vallja e shqipes dhe vallja me shpata e burrave të Lumës janë unike.
Punimet e dorës
Bashkia Kukësit është dalluar për prodhimin e përpunimin e qilimave dhe sixhadeve, të cilat janë shtroje tradicionale të leshta të punuara me veg. Përmendim qilimin e Lumës me kompozim rrathësh koncentrik që qendërzohen rreth një shqiponje të bardhë dykrerësh dhe qilim i kuq i Gorës, të cilat kanë vlera origjinale që mund të shërbejnë dhe si objekt për tregun turistik. Qilimi Kuksian ka formën e një katërkëndëshi kënddrejt, dy palësh dhe është përdorur për shtrimin e odës së burrave, mbulimin e kuajve si një mbulesë.
Përveç punimeve në vek (sexhade dhe qilima), njihet dhe për punimet e dorës (punime me shtiza, qëndisje dhe punët e grepit), punime në gur (shtëpit e tipit Kullë), gdhendjet në dru etj. Puna me dorë me anë të shtizave, para viteve 50 ka qenë baza për veshjen e përditshme.
Kuzhina tradicionale
Banoret e Bashkisë Kukës krenohen me prodhimet unike që j’u ofrojn mysafireve, siç janë: peshku i liqenit të Fierzes Luciper, rakia e shpis që prodhohet nga rrushi ose kumbulla, mjalti i gështenjes, flija (një byrek i pjekur në zjarr që bëhet me anën e nje saçi prej bakri), gatimet me patate, çorba e Gorës, gubjaniku etj.
Festat tradicionale: Në Bashkinë Kukës, kremtohen shumë festa lokale që lidhen me traditat dhe kulturën e vendasve. Përmendim:
Dita e Shen Gjergjit, festohet në gjysmën e parë të majit që kremton fundin e dimrit dhe ardhjen e stinës së pranverës.
Dunmet, festohet në Surroj me 20 shtator dhe është festë që lidhet me kthimin e bagëtive në fermat familiar nga kullotat verore në pllajat e maleve.
Të qethmet, në komunën Ujmisht, të enjtën e dytë të shtatorit. Është festë që lidhet me qethjen e deleve
Gjallica, festohet të enjtën e parë të muajit gusht dhe është festë pagne që lidhet me mbrojtjen e malit të Gjallicës.
Runa, festohet në komunën Malzi me 1 korrik dhe është festë pagane ku njerëzt luten për fuqin e malit
Dita e veres, festohet në të gjithë rajonin me 14 Mars.
Monumentet kulturore
Ndahen në monumente historike, ku përmendim: kullën e Shaqir Palushit në Bushtrice; Kullën së Qëndresës, e cila përmban fotografi që dëshmojnë eksodin e mijëra kosovarëve dhe mikpritjen kuksiane në pranverën e vitit 1999. Muzeu pranë kullës përmban mjaft element të vjetër karakteristike, si: objekte arkeologjike, gjetje të shkëputura, veshje, etnografi, punime artizanale, vendbanime të hershme etj.
Monumente Kulturore dhe arkeologjike ku përfshihen shtëpite e tipit kullë dhe mullinjë të gurit, oda e burrave, kështjella e Bushatit etj.
Monumentet fetare përfshijne xhamitë, teqet dhe vendet e shenjta si: teqja e Sheh Ismailit në Buzmadhe, xhamia e Imam Mehmetit në Shtiqën, varret e shenjta të Sarasalltik-babës në malin e Gjallicës etj.