Kalimi Bicaj-Brekijë.
Kalimi Bicaj-Brekije, fillon në fshatin Mustafë,(450m) pjesë e Komunës së Bicajt, kalon nëpër të dyja lagjet e fshatin Tërshen (1050m dhe 1300m) dhe ngjitet deri në lartësinë 1750m ku ndodhen Stanet e Bicajve, për të zbritur më pas në fshatin Brekije (1350m), pjesë e Komunës Topojan.
Shtegu nga Mustafa deri në Brekije është 14.5 km i gjatë dhe është tërësisht shteg këmbësor. Ky shteg është përdorur kryesisht nga banorët e zonës së Bicajt për të dërguar bagëtinë në stanet qe i kanë rrezë Malit të Gjallicës, apo për t’u lidhur dhe komunikuar me fshatrat në krahun tjetër të Gjallicës.
Periudha më e përshtatshme për ta vizituar këtë zonë, dhe për të bërë këtë kalim, është periudha e pranverës dhe vjeshtës.
Shtegu shoqërohet nga bimësi e të gjitha llojeve, që nga lulet, shkurret, pyjet me pisha, ah, dushk, pemët frutore, dhe kullotat alpine që ndodhen në lartësinë mbi 1500m. Përrenj të vegjël që zbresin nga Gjallica dhe mali i Kolesjanit të shoqërojnë gjatë gjithë shtegut ndërsa kalon në zonën e Tërshenit. Në një nga këta përrenj është ndërtuar dhe një Mulli me ujë, i cili është ende funksional dhe banorët e zonës e përdorin për të bluar drithin.
Për të ndjekur këtë shteg, duhet të shkosh në fshatin Mustafë, 11 km larg Kukësit, duke ndjekur rrugën nacionale Kukës-Peshkopi. Rruga që të dërgon deri në fshat është e mire dhe e aksesueshme nga çdo lloj mjeti.
Shtegu fillon në fshatin Mustafë në 450m lartësi. Pasi përshkon rreth 1.6km ecje, në lartësinë 750m, në vendin që banorët e quajnë Shkalla e Keqe, has një masiv shkëmbor që shtrihet përgjatë shtegut, rreth 80m i gjatë, të cilët banorët e zonës e quajnë Rrasa. Rrasa gjendet për gati 300m vertikalisht nga shtrati i Lumit Sheja që gjarpëron përmes Kanionit të Bicajt. Kanioni është krijuar pikërisht si efekt i gërryerjes së shkëmbit nga uji i Lumit Sheja. Shtegu që nga Rrasa vazhdon për gati 1.4 km mbi kanion dhe më pas kalon përmes fshatit Tërshen.
Fshati Tërshen ka dy lagje, përkatësisht lagjen Tërshen dhe Shpan. Përgjatë shtegut në lagjen Tërshen, përrenj të vegjël kalojnë poshtë disa urave të vogla prej druri, të ndërtuara në mënyrë artizanale nga vetë banorët e zonës. Fshati ka shtëpi karakteristike alpine të rrethuara zakonisht me dru frutorë.
Përgjatë shtegut nga lagja Tërshen në lagjen Shpan, në një nga përrenjtë që zbresin nga mali i Kolesjanit në hyrje të lagjes Shpan, është ndërtuar edhe një mulli me ujë, i cili është ende funksional. Mulliri është ndërtuar rreth viteve 1940 dhe që prej asaj kohe banorët e zonës e përdorin në mënyrë të rregullt për të bluar misrin apo grurin. Për të qenë funksional, mulliri është restauruar një herë pas viteve 90.
Pasi kalon lagjen Shpan, për rreth 2km kalon nëpër një pyll me pisha, dhe në lartësinë 1700m, ndërsa të shfaqet maja e Malit të Gjallicës, të shfaqen lëndinat e Vojvodës, apo siç preferojnë ta quajnë banorët e zonës, Venmira. Në këto lëndina apo kullota alpine, banorët e zonës se Bicajt dërgojnë bagëtinë për verim gjatë periudhës së ngrohtë të vitit. Për këtë arsye, zona ku ndodhen këto kullota quhet Stanet e Bicajve.
Lartësia 1750m është pika më e lartë e këtij kalimi, sepse më pas do të duhet të zbresim në drejtim të fshatit Brekije, për rreth 600m disnivel dhe 4 km distancë. Zbritja për në fshatin Brekije kalon nëpër një pyll me dushk, i cili veçanërisht gjatë periudhës së vjeshtës, të duket sikur je futur në një tunel me ngjyra.
Përgjatë shtegut ndërsa i afrohesh fshatit Brekije, sapo del nga pylli me dushk, mund të shohësh disa stalla për bagëtinë, çatia e të cilave është punuar në mënyrë artizanale dhe e mbuluar me bar të thatë, mënyrë kjo shumë e vjetër e përdorur për të mbuluar vendet ku mbaheshin bagëtitë që tani pothuajse nuk e gjen në asnjë vend tjetër, përveç se në fshatrat e këtyre zonave.
Shtegu vazhdon dhe kalon pranë tokave dhe arave bujqësore të fshatit Brekije, të cilat nuk ndodhen shumë larg me shtëpitë. Në fund, shtegu kalon përmes fshatit Brekije, i cili është i ndërtuar me shtëpi të tipit alpin që rrethohen me dru frutorë. Në qendër të fshatit ku përfundon shtegu, çdo vizitor mund të freskohet në ujin e burimit që rrjedh nga Mali i Gjallicës.
Fshati Brekije ndodhet 21 km larg nga qendra e qytetit të Kukësit. Për të shkuar deri atje duhet të ndjekësh rrugën në drejtim të Shishtavecit, dhe më pas në km e 18, ndjek rrugën që të çon në fshatin Brekije. Deri në qendër të fshatit janë 3 km rrugë e paasfaltuar, rrugë e cila behet edhe me autoveturë.
Ky kalim ka 1400 m disnivel dhe 10 km në ngjitje nga fshati Mustafë deri te Stanet e Bicajt, dhe 600m disnivel dhe 4 km në zbritje nga Stanet e Bicajt deri në Brekije. Koha e nevojshme për të përshkuar këtë distancë është rreth 7-8 orë.
Shtegu është i mire dhe i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë se tij dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare dhe teknikisht i lehtë.
Kjo guidë është e përshtatshme për të gjithë ata që kanë përgatitje të mire fizike apo që gjatë javës kryejnë aktivitet sportiv, për shkak të disnivelit dhe distancës që duhet përshkuar.
Periudha më e përshtatshme për ta bërë këtë kalim është gjatë periudhës së pranverës apo vjeshtës. Gjatë periudhës së dimrit, zona mund të jetë e izoluar për shkak të reshjeve të borës.