Shtegu i Ngjyrave. Novosejë-Grykë Çajë.
Shtegu i Ngjyrave është kalimi që bëhet nga Novoseja apo Shishtaveci drejt fshatit Grykë Çajë, pjesë e komunës me të njëjtin emër. Shtegu i Ngjyrave është pjesë e High Scardus Trail, shteg që kalon përgjatë kufirit të tre shteteve, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, me gjatësi 495km. Scardus është emri latin i shtegut, që do të thotë “shumëngjyrësh”. Kjo është për faktin që përgjatë shtegut kalohet në Kullotat Alpine më të mëdha në Evropën juglindore, në të cilat gjatë periudhës së pranverës mund të gjesh lule të shumëllojshme. Lulja më e veçantë që mund të hasesh gjatë këtij shtegu është Zambaku Shqiptar (Lilium albanicium), një bime endemike, e cila klasifikohet si bimë e llojit të rrezikuar.
Përgjatë shtegut mund të kesh mundësi të ngjitesh në Malin e Kallabakut 2174m mbi nivelin e detit, meqenëse shtegu drejt Grykë Çajës kalon pikërisht poshtë majës së tij.
Përgjatë shtegut mund të shohësh Malet e Sharrit që shtihen që nga Kosova deri në Maqedoni, Gjallicë, Koritnik, Korab, si dhe Kullotat Alpine më të mëdha të Evropës juglindore, pjesë e të cilave është dhe shtegu të cilin po ndiqni për të shkuar drejt fshatit Grykë Çajë. Nga shpatet e këtyre kullotave, në fund të luginës, krijohet dhe lumi Reka e Çajës. Shtegun mund të zgjedhësh ta ndjekësh përgjatë kurrizores që të dërgon në fshatin Grykë-Çajë, apo të zbresësh poshtë në luginë dhe të ndjekësh rrjedhën e Lumit të Rekes deri në fshatin Grykë-Çajë.
Te Shtegu i Ngjyrave nis tek vendi i quajtur Stani i Hoxhës 1350m mbi nivelin e detit, përgjatë rrugës që të dërgon në Novosejë. Pas 2 km ecje, përgjatë shtegut ndodhet edhe Liqeni i Novosejës 1500m mbi nivelin e detit. Liqeni i Novosejës është një liqen artificial, me gjatësi 400 metra, dhe gjerësi 200 metra, dhe është i rrethuar nga tre krahët e tij me pyll, kryesisht pyll me pisha. Me pas shtegu vijon për 5 km deri pranë majës së Kallabakut në 2174m. Shtegu, përgjatë gjithë kësaj pjese të ngjitjes, kalon nëpër një terren lehtësisht të kalueshëm, mes për mes kullotave alpine. Pjesa më e bukur e shtegut, e cila është dhe pjesë e High Scardus Trail, është pjesa nga Maja e Kallabakut deri në fshatin Grykë Çajë. E gjithë kjo pjesë e shtegut është e gjatë 9 km deri në fshatin Grykë Çajë, dhe kalon mes për mes Kullotave Alpine që ndodhen në krahun e Shqipërisë. Panorama në krahun tjetër të luginës, me Kullota Alpine pa fund, vërteton dhe statusin që kanë këto kullota, si Kullotat Alpine më të mëdha në Evropën Juglindore.
Shtegu fillon në qendër të fshatit Novosejë, 28 km larg nga qendra e qyteti të Kukësit, apo tek Stani i Hoxhës 1350m, i cili është dhe shtegu më i përshtatshëm dhe i shkurtër. Rruga është e asfaltuar dhe mund të behet nga çdo lloj automjeti.
Ky kalim ndodhet në 900m disnivel dhe në total është 17km, nëse ngjitja do të nisej te Stani i Hoxhës, dhe 700m disnivel dhe aftësisht 21 km, nëse shtegu do të nisej nga qendra e fshatit Novosejë. Koha e nevojshme për te përshkuar këtë distancë është rreth 7-8 orë.
Shtegu është i mirë dhe i kalueshëm pa problem gjatë gjithë gjatësisë së tij, dhe konsiderohet shteg i vështirësisë mesatare. Duhet bërë kujdes gjatë periudhës së dimrit, sepse temperaturat e ulëta, bora apo akulli e bëjnë të rrezikshëm kalimin përgjatë tij, nëse nuk ke pajisjet e duhura për ngjitje në kushte të tilla, apo nuk ke eksperienca në ngjitje në terrene me borë, akull, apo me ngricë.
Kjo guide është e përshtatshme për të gjithë ata që kanë përgatitje të mirë fizike apo që gjatë javës kryejnë aktivitet sportiv, për shkak të disnivelit dhe distancës që duhet përshkuar.